Uploaded by Daria Nikolla

Cigarja, droga dhe alkooli REAL VERSION

advertisement
Cigarja, droga dhe alkooli
Ese: “Abuzimi me substanca nga brezi i ri: shkaqet, pasojat, zgjidhje.”
Teksa shoqëria njerëzore me kalimin e kohës vazhdon të modernizohet, gjithmonë e më
shumë aspekte të jetës, që para njëqind vjetësh shiheshin si tabu, po normalizohen e po
integrohen në normat kolektive shoqërore. Një pjesë e këtyre risive, si barazia gjinore,
diskutimet e hapura politike dhe bashkëjetesa e grupeve tw besimeve e feve të ndryshme
janë zhvillime pozitive, që kanë mundësuar hedhjen e hapave para për shoqërinë. Përveç
këtyre, dallohen edhe disa zhvillime negative, si normalizimi i përdorimit dhe më tej,
abuzimit me substanca të dëmshme si nikotina e cigares, varietetet e paligjshme të drogave
dhe alkooli, veçanërisht nga të rinjtë.
Para se të diskutojmë pasojat e abuzimit me këto substanca, le të shohim si fillim arsyet
kryesore pse këto lëndë janë bërë kaq tërheqëse për brezin e ri.
Së pari, adoleshentët tërhiqen lehtësisht nga ndjesia e të qenit “i/e veçantë”, jo nëpërmjet
aftësive apo karakteristikave të tyre, por duke thyer kornizat e vendosura nga institucionet
autoritare në jetët e tyre, si prindi, mësuesi, shkolla e komuniteti.
Së dyti, do të përmendim të kundërtën e kësaj: dëshirën për t’u integruar në shoqëri. Siç
thotë edhe shprehja: “Nëse kalon kohë me pesë të zgjuar, do të bëhesh një prej tyre; nëse
kalon kohë me pesë budallenj, do të bëhesh një prej tyre,” njeriu, – veçanërisht ai në një
moshë të delikate si ajo e adoleshëncës, - ndjek rrymën e shumicës. Në qoftë se një i ri
rrethohet nga moshatarë që përdorin këto substanca, edhe ai do të kopjojë veprimet e tyre,
që të fitojë ndjenjën e përkatësisë.
Së treti, sipas Institutit Amerikan të Abuzimit me Drogën, shumë të rinj i shohin këto
substanca si rrugëdalje nga problemet e tyre, si stresi dhe depresioni.
Së katërti, të rinjtë janë kureshtarë të përjetojnë përvoja të reja. Kjo kureshtje shpesh i çon
ata drejt një rruge pa kthim.
Të gjithë e dimë që duhani, droga dhe alkooli janë të dëmshme, por cilat janë saktësisht
pasojat që ato sjellin në jetën e njeriut?
Ja disa nga efektet negative të duhanit:
o Së pari, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e
Bashkuara, ato e rritin veçanërisht rrezikun për zhvillimin e kancerit të organeve të
shumta, si: mushkëritë, gryka, goja, ezofagu, fshikëza e urinës, pankreasi, veshkat, e
organet riprodhuese femërore.
o Së dyti, Asociacioni Amerikan i Zemrës, pas kërkimeve të shumta ka dalë në
përfundimin se cigaret lidhen me shtimin e rrezikut për probleme me zemrën, dhe
sistemin kardiovaskular, si: dëmtimi i enëve të gjakut, tensioni i lartë dhe bllokimi i
arterieve me mukus.
o Së treti, duke u mbështetur te përfundimet e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit,
përdorimi i cigareve nuk ndikon negativisht vetëm te përdoruesi, por edhe të
personat që e rrethojnë, duke rritur edhe te këta individë rrezikun për zhvillimin e
kancerit, infeksioneve të aparatit të frymëmarrjes, e sëmundjeve kardiovaskulare.
Rendisim disa pasoja të përdorimit të drogave të dëmshme:
o Së pari, sipas Institutit Amerikan të Shëndetit, konsumimi i drogës shkakton
dëmtime të funksioneve kognitive të trurit, si kujtesa, vëmendja, vendimmarrja dhe
aftësitë për zgjidhjen e problemeve.
o Së dyti, duke marrë parasysh përfundimet e Aleancës Amerikane për Sëmundjet
Mendore, si edhe ato të Institutit të Shëndetit Mendor, ekziston një lidhje e fortë mes
përdorimit të drogës dhe problemeve mendore, si: depresioni, ankthi, psikoza e
skizofrenia.
Vijojmë me disa anë negative të konsumimit të alkoolit:
o Së pari, sipas Institutit Amerikan mbi Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin tregon
se alkooli mund të çojë drejt një numri sëmundjesh të mëlçisë, që mund të çojnë deri
në nxjerrjen e këtij organi jashtë përdorimit e nw zhvillimin e kancerit.
o Së dyti, Asociacioni Amerikan i Zemrës tregon nëpërmjet një numri studimesh, që
konsumimi kronik i alkoolik rrit rrezikun për problemet me zemrën, si: tensioni i
lartë, ataku, aritmia, tromboza, etj.
o Së treti, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, alkooli
mund të helmojë përdoruesin, duke sjellë mosfunksionim të mushkërive, koma,
madje edhe vdekje. Gjithashtu, duke qenë se alkooli shkatërron funksionet logjike të
trurit, rritet mundësia për aksidente automobilistike.
Tani që i kemi të qarta pasojat e përdorimit të cigareve, të drogës e të alkoolit, kuptohet
lehtë që kjo gjendje ka nevojë për zgjidhje të menjëhershme. Cfare mund te bejme për t’i
lëvizur të rinjtë nga kjo rrugë pa kthim?
Së pari, duhet të krijohen ligje të rrepta që dënojnë shitjen e alkoolit e të duhanit te të
rinjtë. Në Shqipëri janë regjistruar shumë raste të adoleshentëve që arrijnë të
shkëmbejnë para për këto produkte në një fraksion sekonde, pa asnjë parandalim nga
ana e shitësit.
Së dyti, duhet të shmangim kulturën e ndjekjes së turmës dhe të promovojmë
individualitetin, për të parandaluar përdorimin e substancave të dëmshme nga të rinjtë.
Së treti, duhen hartuar programe që kanë prioritet rritjen e shëndetshme të nxënësve, si
fizikisht, ashtu edhe mendërisht. Mungesa e tyre është një mangësi ndërkombëtare e
sistemit arsimor.
Gjendja aktuale duhet ndryshuar sa më parë, e hapat që duhet të merren janë të shumtë.
Pavarësisht kësaj, ne duhet të fillojmë diku: si individë, si komunitete, si institucione, si
shoqëri.
Daria Nikolla
Download